Ditë e Hapur: Zëri i të rinjve në Parlamentin Vendor
Në kuadër të përpjekjeve për të forcuar transparencën, pjesëmarrjen qytetare dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore dhe komunitetit, Këshilli Bashkiak Lezhë, në kuadër të projektit “Bashki të Forta” dhe me mbështetjen e ekspertëve të IDM, organizon një Ditë të Hapur me të rinjtë e shkollave të mesme, nëntëvjeçare dhe profesionale të qytetit.
Nisma e Ditëve të Hapura nisi në vitin 2024 me 12 Këshilla Bashkiakë që organizuan me sukses sesione interaktive me qytetarët, duke ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi. Në vijim, kjo nismë në Lezhë synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve mbi rolin e Këshillit Bashkiak si “parlamenti i vogël” i qytetit, ku diskutohen dhe merren vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të komunitetit.
Përmes kësaj Dite të Hapur synohet që nxënësit:
- Të kuptojnë më mirë se si funksionon vendimmarrja vendore dhe roli i Këshillit Bashkiak;
- Të inkurajohen të marrin pjesë në jetën publike, përmes ideve, nismave komunitare apo pjesëmarrjes në konsultime publike.
Nëpërmjet këtij takimi, Këshilli Bashkiak Lezhë do të ketë mundësinë të prezantojë punën e tij, të dëgjojë zërin e të rinjve dhe të forcojë lidhjen mes të rinjve dhe institucioneve vendore.
Aktiviteti është pjesë e një sërë ndërhyrjesh në kuadër të projektit “Bashki të Forta”, i cili fokusohet në rritjen e rolit mbikëqyrës dhe përfaqësues të këshillave bashkiakë, duke forcuar ndërveprimin me qytetarët dhe shoqërinë civile.