Seminar “Roli i Këshillit Bashkiak në Vendimmarrje dhe Mbikëqyrjen e Ekzekutivit në Nivel Vendor”

Këshillat Bashkiakë janë institucioni kryesor vendimmarrës në nivel vendor dhe një nga mekanizmat më të rëndësishëm për sigurimin e qeverisjes së mirë, transparente dhe të përgjegjshme. Përmes vendimmarrjes (miratimi i buxhetit, programeve, planeve zhvillimore, rregulloreve) dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit (ndjekja e zbatimit të vendimeve, vlerësimi i rezultateve, dialogu me ekzekutivin), Këshilli Bashkiak kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e integritetit institucional dhe në orientimin e zhvillimit lokal.

Shpesh ndodh qe vëmendja publiko-institucionale fokusohet tek organi ekzekutiv i Bashkisë, edhe pse Këshilli Bashkiak është organi që:

  • përcakton prioritetet kryesore të zhvillimit lokal;
  • miraton dhe ndjek zbatimin e buxhetit;
  • ushtron kontroll politik dhe institucional mbi ekzekutivin;
  • mundëson përfshirjen e qytetarëve dhe grupeve të interesit në proceset vendimmarrëse.

Një Këshill Bashkiak aktiv, i pavarur dhe bashkëpunues me administratën vendore, rrit transparencën, përmirëson cilësinë e vendimmarrjes, krijon hapësira reale për dialog dhe kontribuon në ndërtimin e një kulture të qeverisjes me integritet dhe besim të ndërsjellë me qytetaret.

Në këtë kuadër, Këshilli Bashkiak Mirditë, në kuadër të projektit “Bashki të Forta” dhe me mbështetjen e ekipit të ekspertëve të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), organizon një seminar dedikuar rolit të Këshillit Bashkiak si një shtyllë e rëndësishme e qeverisjes në nivel vendor.

Qëllimi i seminarit është të nxisë përmirësimin e qeverisjes vendore në zbatim të detyrimeve ligjore të institucioneve si Këshilli Bashkiak, Kryetari i Bashkisë dhe Prefekti, si dhe të sqarojë më qartë rolin ligjor dhe funksional të Këshillit Bashkiak. Seminari synon gjithashtu të diskutojë mënyrat se si ky rol mund të ushtrohet në praktikë në mënyrë më efektive, transparente dhe bashkëpunuese, në funksion të rritjes së llogaridhënies, besimit publik dhe cilësisë së vendimmarrjes.
Pjesëmarrësit e synuar përfshijnë anëtarë të Këshillit Bashkiak, Kryetarin e Bashkisë dhe përfaqësues të administratës vendore, përfaqësues të Prefekturës, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit, organizatave të shoqërisë civile, medias lokale, të rinj dhe qytetarë aktivë.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të projektit “Bashki të Forta”, i cili synon të forcojë rolin përfaqësues dhe mbikëqyrës të Këshillave Bashkiakë dhe të nxisë ndërveprimin e tyre me qytetarët dhe aktorët e tjerë lokalë.

Date

Dec 09 2025
Expired!

Time

10:00 - 12:00

Location

Salla e Këshillit Bashkiak, Mirditë
Category
Bashki te Forta

Organizer

Bashki te Forta